​Trump e shpall Infantinon “mbret të futbollit”

Gianni Infantino ka qenë një nga figurat më të spikatura të Forumit Ekonomik Botëror 2026 në Davos, ku ka zhvilluar një seri takimesh me udhëheqës ekonomikë, politikë dhe financiarë nga mbarë bota. Pas pjesëmarrjes së tij në konferencën për Gazën në Sharm el-Sheikh, prania në Davos shënon një tjetër etapë të rëndësishme të angazhimit ndërkombëtar të presidentit të FIFA-s, vetëm gjashtë muaj para nisjes së Kupës së Botës 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Takimet, panelet dhe kontaktet e shumta u shoqëruan me një aktivitet intensiv në rrjetet sociale, ku Infantino publikoi fotografi dhe selfie me figura kyçe të skenës globale. Por momenti që tërhoqi më shumë vëmendje ishte takimi me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ky i fundit madje ndërpreu një konferencë shtypi sapo e pa Infantinon në sallë, duke e përshëndetur publikisht me fjalët: “Kemi mbretin e futbollit, mbretin e sporteve: Gianni-n”, deklaratë që nënvizoi marrëdhënien e ngushtë mes dy liderëve.

Sipas raportimeve, Infantino është një mysafir i shpeshtë në Shtëpinë e Bardhë dhe lidhja e tij me Trump është forcuar ndjeshëm në vitet e fundit. Ai fillimisht e kishte ftuar presidentin amerikan në Sharm el-Sheikh dhe më pas i kishte dorëzuar atij “Çmimin e Paqes FIFA”, një veprim që, sipas gazetës britanike The Guardian, ka shkaktuar edhe siklet brenda vetë FIFA-s, ku disa zyrtarë të lartë kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën dhe simbolikën e këtij gjesti.

Back to top button