A do ta sfidojë Gramoz Vokrri, Agim Ademin në garën për kryetar?

Kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në Kuvendin zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, ende nuk dihet nëse Agim Ademi do të ketë kundërkandidat në garën e tij për mandatin e tretë si president.
Por, ajo që dihet tashmë, është se kësaj radhe nuk do të sfidohet nga Gramoz Vokrri, i vetmi që provoi t’i dalë përballë në zgjedhjet e kaluara.
Djali i legjendës së futbollit Fadil Vokrrit, që pati dështuar t’i merrte nënshkrimet e delegatëve për këtë garë, thotë se kontrolli i Ademit mbi ta, vetëm sa është rritur.
“Parimisht, në aspekt demokratik normal është që shumë më mirë është të ketë kundërkandidatë. Këtu krejt problematika është te mënyra se si i lejohet dikujt me qenë kundërkandidatë apo jo. Shumë është përfolur edhe në rastin tim para katër viteve çështja e nënshkrimeve. Mua nuk më pengon aq shumë për të pasur nënshkrime, sesa mënyra si bëhet ajo punë. Duhet ta dijë opinioni publik që prej 58 delegatëve, nënshkruesve potencial, një pjesë shumë e madhe është e punësuar në federatë, marrin rrogë prej institucionit. Natyrisht që kjo përbën konflikt interesi i pastër, por tani le të mbetet te ministria për ta zgjidhur këtë situatë bashkë me institucionin”, thekson tutje Vokrri.
Në vazhdim, Vokrri sqaron se, ndonëse ka komunikim dhe kontakte të vazhdueshme me klubet, aktualisht nuk ekziston një grup i organizuar që synon ndryshimin e udhëheqjes së FFK-së.
“Për të qenë kandidat çdo herë e kam potencuar edhe nëpër çdo paraqitje, domethënë, nuk buron nga vullneti i një individi. Përderisa e kemi këtë sistem të zgjedhjeve, është një situatë ku duhet të marrësh mbështetje prej klubeve, duhet të jetë një interes i shumë klubeve për ta bërë një ndryshim. Ndryshimi nuk mund të vij nga një individ. Si çdo herë, kemi biseda, kemi kontakte normalisht me klubet, por në këtë situatë ku jemi tani, nuk është që ka ndonjë një grup, siç ka qenë herën e kaluar”, deklaron Vokrri.
Duke folur për ato që i quan probleme të vjetra statutare në FFK, Vokrri thotë se pavarësisht vërejtjeve institucionale dhe mbajtjes së kuvendeve, situata ka mbetur pothuajse e pandryshuar, ndërsa aktualisht nuk vëren gatishmëri nga klubet për të ndryshuar drejtimin e federatës.
“Siç e kemi potencuar edhe më herët, ky është një problem shumë i vjetër në lidhje me statutin. Çuditërisht nuk ka pasur ndonjë lëvizje gjatë tre-katër viteve të fundit, është mbajtur një kuvend, ka pasur ministria vërejtjet e veta, pastaj prapë është qetësuar situata dhe tani ja ku jemi në këtë situatë e njëjtë, domethënë si pothuajse para katër vite. Momentalisht nuk e shoh një frymë të ndryshimit sa i përket klubeve. Kjo është unë çka mund të bëjë, po nuk do të thotë që i kam të gjitha informatat”, u shpreh fillimisht Vokrri.
Në fund, Vokrri që ka angazhim në kryesinë e klubit të futbollit Prishtina, thekson se do të mbetet gjithmonë i lidhur me futbollin kosovar dhe se kontributi i tij nuk lidhet domosdoshmërisht me mbajtjen e një funksioni formal. Kësisoj e lë të hapur mundësinë e angazhimeve të tjera në të ardhmen, duke nënvizuar se çdo hap duhet të vijë gradualisht dhe në kohën e duhur.
“Unë natyrisht gjithmonë jam afër futbollit dhe e përcjelli nga afër. Natyrisht që kontributi im do të jetë jo domosdoshmërisht aty, këtë gjithë e kam potencuar. Por prapë kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen, mos, mos të shkojmë shumë shpejt, të ecim kadal-kadale”, tha në fund Vokrri.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Ministria e Sportit i ka kërkuar FFK-së që t’i harmonizojë disa aktet statutare me Ligjin e ri të sportit, derisa FFK përmes një reagimi theksoi se të gjitha normat ligjore brenda FFK-së janë në harmoni të plotë me ligjin në fjalë./kp