Mbi 1.6 milionë fletëvotime gati për zgjedhjet e 7 qershorit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve tashmë janë vendosur fletëvotimet të cilat janë shtypur në Slloveni dhe janë sjell në Kosovë gjatë këtyre ditëve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur mbi 1 milionë e 778 fletëvotime.
Edhe për këto zgjedhje sikur ndodh përherë KQZ ka shtypur më pak fletëvotime se sa numri i votuesve të regjistruar.
“Sipas vendimit të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur 1 milionë e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1,605,000 fletëvotime janë të planifikuara për votimin në vendvotimet e rregullta; 19,450 për votimin me kusht; 13,500 fletëvotime rezervë; dhe 3,500 për votimin e personave me nevoja të veçanta. Edhe në këto zgjedhje, si në të kaluarën, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve dhe kjo mbështetet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Këto fletëvotime, aktualisht janë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në kuadër të përgatitjeve logjistike, të shtunën në mëngjes do të bëhet shpërndarja e tyre në Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga aty të dielën në mëngjes në Qendra të Votimit”, tha ai.
Sipas Elezit nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve, për votimin me postë jashtë Kosovës janë shtypur 108 mijë fletëvotime, ndërsa për votimin në përfaqësi diplomatike 28,850 fletëvotime.
Tashmë për votimin në përfaqësi diplomatike është nisur materiali zgjedhor, proces ky i cili do të zhvillohet të shtunën më 6 qershor.
“fletëvotimet për votimin me postë, i cili ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor, janë dërguar në adresa të votuesve të regjistruar, ndërkaq fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, në të cilat do të zhvillohet votimi më 6 qershor. Më 6 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike për 27,724 votues e regjistruar paraprakisht. Votimi do të mundësohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Më 6 qershor përfundon votimi jashtë vendit, përkatësisht votimi me postë, për 104,488 votuesit e regjistruar për këtë lloj votimi”, tha ai.
Më 7 qershor është dita e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2,550 vendvotime. Në 911 Qendra Votimi me 2,498 Vendvotime do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime, do të mundësohet votimi me kusht. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milionë e 959 mijë e 962 votues.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?