Bajraktari: Vendimi për nënkryetarin nga komuniteti serb ishte i pritshëm

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, siç edhe pritej, ka shpallur jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Në lidhje me këtë aktgjykim, avokati Ardian Bajraktari ka theksuar se vendimi i Kushtetueses konfirmon parimet themelore të demokracisë, të cilat bazohen në rregulla, parime dhe legjitimitet demokratik. Sipas tij, e drejta e propozimit për këtë pozitë, ashtu siç përcaktohet në Rregulloren e Kuvendit dhe në frymën e Kushtetutës, i takon shumicës së deputetëve nga komunitetet joshumicë, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh brenda komuniteteve përkatëse.

Bajraktari thekson gjithashtu se komunitetet joshumicë kanë përgjegjësi kushtetuese që t’i ushtrojnë të drejtat e tyre në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor të vendit, duke respektuar procedurat e përcaktuara.

Duke folur për mekanizmat debllokues, ai nënvizon se këta mekanizma janë të natyrës përjashtuese dhe nuk duhet të shndërrohen në rregull të përgjithshëm, por të përdoren vetëm për funksionalizimin dhe konstituimin e Kuvendit, në rrethana të jashtëzakonshme.

Sipas Bajraktarit, çdo përpjekje që shumica parlamentare të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti joshumicë pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, përbën shkelje të garancive kushtetuese dhe abuzim me numra.

Ai rikujton se për arsye të sigurisë juridike, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka efekt prapaveprues, por shpreh shpresën që legjislaturat e ardhshme të mos i përsërisin më këto gabime dhe shkelje të Kushtetutës.

Back to top button