U intervistua nga Prokuroria Speciale, Faton Peci paralajmëron kallëzim penal

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka qenë në Prokurori për të dhënë sqarimet e tij lidhur me kallëzimin penal të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes ish-deputetit Paris Guri.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka deklaruar se në Prokurori ka qenë, siç është shprehur ai, “transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë”, duke sqaruar rolin e tij si ministër në procesin e ndarjes së granteve të Ministrisë së Bujqësisë.
Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penal për kallëzim të rremë, duke akuzuar Paris Gurin për orkestrimin e një fushate shpifjesh që, sipas tij, kanë çuar në ngritjen e një kallëzimi penal të pabazë ndaj tij.
Peci ka theksuar se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat dhe përpjekjet për baltosjen e emrit të tij nuk do ta ndalin nga angazhimi për, siç u shpreh ai, “punët e mira dhe punët e mëdha për Kosovën”.
“Vazhdojmë!”, ka përfunduar Peci deklarimin e tij publik.
Ndërkaq nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë bërë të ditur për KosovaPress se intervistimi i Pecit ka zgjatur rreth tri orë.