IKSHPK: Uji nga Liqeni i Badocit tani është i sigurt për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit “është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të turbullirës”.
“Analizat laboratorike të realizuara gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e IKShPK-së, tregojnë se vlerat e turbullirës dhe gjithë parametrat tjerë (bakteriologjikë dhe fiziko-kimik) janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu””, thuhet në një komunikatë të IKSHPK-së.
Bazuar në këto rezultate laboratorike, IKSHPK thotë se “uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije”.
“IKShPK, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët”.