Kaloni te përmbajtja kryesore

​FFK konfirmon dy ndeshje miqësore për Kombëtaren e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” do të garojnë në Ligën B.

Skuadra e drejtuar nga Franco Foda fillimisht do të përballet me Kombëtaren e Çekisë më 31 maj në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Ky duel konsiderohet si një test i rëndësishëm për Kosovën ndaj një kundërshtari me përvojë në futbollin evropian.

Çekia e ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026 pasi triumfoi ndaj Danimarkës pas penalltive në “play-off”-in evropian, duke u rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2006. Aktualisht, çekët renditen në vendin e 41-të në ranglistën e FIFA-s.

Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. “Dardanët” kishin fituar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 2:1 më 7 shtator 2019, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Plzen kishin pësuar humbje me rezultat identik, më 14 nëntor 2019.

Ndeshjen e dytë miqësore Kosova do ta luajë më 7 qershor kundër Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe ndaj Andorrës, Kosova ka zhvilluar dy ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Në Prishtinë ishte regjistruar barazim 1:1, derisa në Andorra La Vella “Dardanët” kishin fituar bindshëm me rezultat 3:0.

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se Kombëtarja do të grumbullohet më 27 maj në hotelin “Emerald”, derisa këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për vazhdimin e ndërtimit të skuadrës para sfidave në Ligën B, ku Kosova ndodhet në Grupin B3 së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button