Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti kërkon “g*ditje” për ish-opozitën

Ndërsa kanë mbetur edhe rreth tri javë deri në zgjedhjet e 7 qershorit, partitë politike kanë intensifikuar aktivitetet në terren, ndonëse zyrtarisht fushata ende nuk ka nisur. Përfaqësuesit politikë nuk kanë kursyer akuzat e ndërsjella gjatë këtyre ditëve. Kandidati për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti, nuk ka kursyer partitë e ish opozitës duke thënë se janë nervoz nga goditja që do të marrin në zgjedhje me rritjen e LVV-së që sipas tij do të jetë mbi 60 %.

“…E di që janë nervozë dhe ju dhemb, e di që po çpurdhen, por s’kanë kah ia mbajnë. Atëherë, e vetmja gjë që të mos e përsërisim është ajo 51.1%, ta bëjmë 60% e sipër, sepse edhe blloku opozitar ka nevojë për një goditje të re, ka nevojë për një fitore të madhe të LVV-së, në mënyrë që mandej të shkojmë në pushime…”, tha Kurti.

Ndërsa kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, e kritikoi Kurtin për prishje të raporteve me aleatët dhe për dërgimin e vendit në zgjedhje të njëpasnjëshme, siç tha ajo, nga pangopësia për pushtet.

“…Për një Kosovë të fortë brenda dhe të lidhur ngushtë me Amerikën jashtë. Një Kosovë ku interesi shtetëror e mund kalkulimin politik. Një Kosovë që ndërton ura dhe nuk i pret në besë…ata ia refuzuan popullin 51% vetëm e vetëm e vetëm për ta eliminuar një presidente që ulet me presidentin e SHBA-së.”, tha Osmani.

Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndalë urrejtjen dhe, siç ka shkruar ai, “t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë partiakë”.

Njohësi i procedurave qeverisëse, Shkodran Rexhaj, tha se Kosovës nuk i duhet gjuhë që ngjall përçarje dhe urrejtje te qytetarët, por politikanë që kanë program dhe vizion të qartë për shtetndërtim.

“Fakti që brenda një periudhe të shkurtër kohore kemi tri procese zgjedhore e determinon faktin se nuk do të kemi proces zgjedhor të bazuar në plane-program dhe projekte konkrete, sepse projektet nuk mund të ndryshojnë çdo tre muaj. Në momentin që largohet diskutimi për programin, do të kemi goditje mes kandidatëve, të llojit siç ka deklaruar Kurti, ose edhe anasjelltas. Nuk i nevojitet një gjuhë e tillë skenës politike, nuk i nevojitet demokracisë dhe as Kosovës.”, tha Rexhaj për rtv21

Ndërsa analistja politike, Arta Tahiri, tha se kishte shpresuar që në këto zgjedhje gjuha e politikanëve të mos ishte e ashpërsuar. Kritikoi Kurtin edhe për kërkesën e tij që të fitojë përqidje të votave që prishin demokracinë dhe eleminojnë sistemin parlamentar.

“Të kërkohet mbi 60% është sikur të kërkosh të zhduket sistemi demokratik dhe parlamentar. Të jem e sinqertë, kam shpresuar se do të kenë një gjuhë më të përafërt dhe jo polarizuese, siç e kemi parë gjatë gjithë proceseve zgjedhore, duke filluar nga 9 shkurti.”, tha Tahiri.

Anlistët Shkodran Rexhaj dhe Arta Tahiri kërkojnë nga përfaqësues politik që gjatë fushatës të fokusohen në shpalosje të programit zgjedhor dhe të ndalin gjuhën përçarëse.

“Jo vetëm që do të duhej të ndalej gjuha përçarëse, por nuk do të duhej as të fillonte. Fakti që politikanët kanë kaluar në çështje personale dhe në etiketime, është shqetësues për ne.”, u shpreh  Rexhaj.

“E dënoj jashtëzakonisht shumë gjuhën polarizuese, nga kushdo që vjen, sepse kjo po ndikon në psikologjinë dhe jetën e përditshme të qytetarëve…”, tha Tahiri.

Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën si pasojë e dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri brenda afateve kushtetuese./RTV21/21Media

 

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button