Tërnava në prag të Ramazanit:Ta ruajmë vëllazërinë dhe kombin tonë me zemër të pastër

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava, e dha mesazhin tradicional të Ramazanit, të mërkurën duke e lidhur edhe me festën më të madhe të Kosovës si shtet, 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë.
Kjo, duke pohuar se zemrat në Kosovë rrahin njësoj për besimin dhe atdheun.
“Historia jonë dëshmon se besimi ka qenë burim frymëzimi për angazhim qytetar dhe kombëtar, veçanërisht në momentet kyçe si shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur u kurorëzua një sakrificë e gjatë për liri, drejtësi dhe dinjitet”, tha ai.
Myftiu theksoi se Ramazani është më shumë se agjërim është muaj mëshire, faljeje dhe solidariteti që pastron zemrën, forcon karakterin dhe bashkon njerëzit në vlera të larta shpirtërore e kombëtare
“Ramazani është muaji kur Fjala Hyjnore zbriti si dritë për njerëzimin, udhëzim për zemrat, shërim për shpirtrat dhe mëshirë për botët. Është koha kur zemrat hapen për Librin e Zotit dhe shpirtrat përulen para Madhërisë së tij. Ai na mëson durimin, faljen dhe solidaritetin, duke na kujtuar se forca më madhe e njeriut është zemra e pastër dhe dora që ndihmon. Zoti i Madhërishëm thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani” (El-Bekare, 185). Ky muaj i bekuar na fton në rrugën e drejtë, na edukon me drejtësi, dhembshuri e moral të lartë dhe na udhëzon drejt paqes së brendshme. Ramazani është shkolla e shpirtit, ku besimtari pastrohet nga gabimet, forcohet në besim dhe rritet në devotshmëri”, theksoi, Tërnava
Po ashtu Tërnava u shpreh se dashuria ndaj fesë dhe atdheut plotësojnë njëra tjetrën. Sipas tij, agjërimi është akt i sinqertë devotshmërie dhe Ramazani është rrugë drejt paqes, unitetit dhe përgjegjësisë shoqërore
“Dashuria ndaj fesë dhe ndaj atdheut nuk janë në kundërshtim, por plotësojnë njëra-tjetrën. Besimi e formon karakterin, ndërsa atdheu i jep atij hapësirë veprimi. Ramazani na thërret të forcojmë lidhjen me Zotin dhe përgjegjësinë ndaj vendit tonë, institucioneve dhe së ardhmes së përbashkët. Agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga adhurimet më të veçanta, sepse është ibadet që besimtari e kryen vetëm për hir të Krijuesit, me bindje të plotë, vullnet të lirë dhe sinqeritet të thellë shpirtëror. Ai nuk është thjesht përmbajtje nga ushqimi e pija, por një akt i pastër devotshmërie që buron nga zemra dhe dëshmon besimin e vërtetë. Për këtë sakrificë të heshtur e të sinqertë, agjëruesi ka shpërblim të veçantë tek Zoti”, theksoi Tërnava.
Kreu i BIK-ut, bëri thirrje për tolerancë e bashkim në vlera.
“Mesazhi i Ramazanit është paqja. Ai pastron zemrën nga urrejtja, ndalon fyerjen dhe e ngre respektin në themel të bashkëjetesës. Është thirrje për vetëpërmbajtje, vëllazëri dhe dashuri aktive që sjell harmoni shoqërore. Nxitja e urrejtjes është mëkat i rëndë dhe tradhti ndaj frymës së këtij muaji. Ta ruajmë vëllazërinë dhe kombin tonë me zemër të pastër dhe vendosmëri që dashuria të triumfojë mbi çdo përçarje.Le të lutemi që ky Ramazan të na gjejë më të bashkuar në vlera, më të fortë në besim dhe më të vendosur në mbrojtje të lirisë sonë. Le të jetë kohë reflektimi për thellimin e dashurisë ndaj fesë si burim drite dhe ndaj Kosovës si amanet i të parëve e përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.”
Myftiu rikonfirmoi se Ramazani në Kosovë është sipas kalendarit të 98% të botës.
Askund nuk ka filluar në Evropë të agjërohet një ditë para. Gjithkund agjërohet nesër. Në tërë Evropën dhe në 98-9% të botës përgjithësisht. Ka disa shtete të cilat kanë filluar, ato janë pak shumë, Gjiri atje, ka filluar sot të agjërojë. Ndërsa shtetet, domethënë 98% agjërojnë prej nesër.