Serbia si “lë” rehat serbët e Kosovës

Thirrjet e Beogradit zyrtarë për votim të Listës Serbe në zgjedhjet e qershorit dhe presioni që, siç është thënë, po ushtrohet mbi serbët lokal ka ngjallur valë reagimesh.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha për rtv21 se është thelbësore që të mos ndërhyhet në vullnetin e qytetarëve.
“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 7 qershor janë një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre duke përdorur të drejtën e tyre për të votuar në një mënyrë të informuar dhe të vetëdijshme. Është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit(qytetarë)”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Përveç thirrjeve për votim të Listës Serbe së fundmi një numër zyrtarësh serbë u shkarkuan nga puna në institucionet në të cilat udhëheq Lista Serbe. 7 persona deri më tani u arrestuan nga Policia e Kosovës për cenim të vullnetit të lirë të votuesve në Graçanicë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime si asnjëherë më parë. Sipas tij, Serbia synon të ndikojë në funksionimin e institucioneve të vendit, duke e cilësuar këtë si veprim të paligjshëm në një shtet sovran.
“Kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose çfarëdo mbështetje që kanë marrë nga Serbia ndonjëherë me kushtëzimin që të rreshtohen thu se bëhet fjalë për ushtri në kohë lufte në radhët e Listës Serbe”, tha Kurti.
Qendra Kosovare për studime të sigurisë ndërkaq shtron nevojën për shtim të masave të sigurisë sa i përket zgjedhjeve të 9 shkurtit pas ndërhyrjeve të Serbisë në këto zgjedhje.
Drejtori i kësaj qendre, Mentor Vrajolli thotë se ndërhyrjet e tilla cenojnë sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve.
Lidhur me masat e sigurisë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve në Kosovë RTV21 i është drejtuar policisë së Kosovës por tash dy ditë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?