Konfiskohen 8 kg ari e argjend nga dukatxhinjtë në Prizren, vlenin 460 mijë €

Më shumë se 3.7 kilogramë ari dhe mbi 4.2 kilogramë argjend të padeklaruar janë konfiskuar në Prizren, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Prokuroria Themelore e këtushme, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Këto sasi të metaleve të çmueshme janë sekuestruar të mërkurën, ndërsa hetimet për këtë nisën një ditë më parë. Kjo pasi autoritetet dyshojnë se disa biznese për shitjen e arit në Prizren janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore në tregtimin e arit dhe argjendit.
Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve të realizuara në gjashtë lokale afariste dhe tri shtëpi banimi në Prizren, janë konfiskuar gjithsej 3 mijë e 775 gramë ari në vlerë rreth 455 mijë euro dhe 4.204,98 gram argjend në vlerë rreth 8.900 euro.
Lidhur me rastin janë iniciuar procedura ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy armë zjarri pa leje, për çka është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Kësi aksione janë kryer edhe me herët në këtë qytet të Kosovës, siç kishte ndodhur korrikun e vitit 2024, kur zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës kishin konfiskuar ari e argjend në vlerë prej afër gjysmë milioni euro, nga pesë argjendari të këtushme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?