Dy legjendat e boksit rikthehen me duelin që askush se priste

Netflix ka konfirmuar zyrtarisht organizimin e një ndeshjeje profesionale boksi mes dy legjendave të sportit, Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao, e cila do të zhvillohet më 19 shtator në Sphere, një nga arenat më ikonike në botë.
Kjo përballje shënon rimeçin e shumëpritur pas ndeshjes së parë të vitit 2015, e fituar nga Mayweather me vendim unanim. Këtë herë, “Money” Mayweather, në moshën 48-vjeçare, do të rikthehet në ring për të vënë në provë rekordin e tij të pamposhtur 50-0, pas një pauze nëntëvjeçare nga boksi profesionist.
Mayweather njoftoi më herët këtë vit rikthimin e tij gradual në ring, i cili do të përfshijë fillimisht një ndeshje demonstrative kundër Mike Tyson, përpara se të përballet në mënyrë zyrtare me Pacquiao. Paraqitja e tij e fundit profesionale ishte në vitin 2017 kundër Conor McGregor.
Nga ana tjetër, Pacquiao u rikthye në ring në vitin 2025 pas katër vitesh mungesë, duke u përballur me Mario Barrios për titullin botëror në peshën welter. Ndeshja përfundoi në barazim, por performanca e filipinasit u vlerësua pozitivisht. Përpara përballjes me Mayweather, Pacquiao do të zhvillojë gjithashtu një ndeshje miqësore kundër boksierit dhe politikanit rus Ruslan Provodnikov.
Ndeshja e 19 shtatorit pritet të jetë një nga eventet më të ndjekura sportive të vitit, duke bashkuar nostalgjinë e rivalitetit historik me interesin global për dy figura ikonike të boksit profesionist.