Tërnava: Fushata me akuza e urrejtje nuk i shërben të ardhmes së Kosovës

Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur të mërkurën, gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, derisa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.
Ai tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.
“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.
Ai bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të zhvillohen me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Ndërsa ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.
“Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut”, deklaroi Tërnava.
Shprehu shpresën që pas zgjedhjeve faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, në mënyrë që institucionet të formohen sa më shpejt.
“Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”, përfundoi myftiu i Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?