Kaloni te përmbajtja kryesore

Në mars, qytetarët “nxorën” mbi gjysmë miliardi euro jashtë Kosovës

Të dhënat e fundit të Agjencisë së statistikave thonë se Kosova gjatë muajit mars ka blerë produkte në vlerë prej 652.8 milion euro duke shënuar një rritje prej 18.2% në krahasim me muajin mars të vitit 2025. Ndërkohë që prodhuesit vendor në muajin mars të këtij viti kanë shitur 88.4 milionë euro, kësisoj qytetarët në Kosovë vetëm në muajin mars kanë blerë më shumë se gjysmë miliardi euro produkte të huaja. Kryetari i shoqatës së eksportuesve Nexhat Hasani, tha se situata e rënduar me tregtinë e jashtë është tash e sa vite, ndërsa sipas tij askush nga institucionet nuk po përmbushë dhe merret me kërkesat e prodhuesve.

“Situata sa shkon e rëndohet. Uroj që vjen një qeveri që e kupton si funksionon ekonomia. Aktualisht 80% me 20 % jemi.”, tha Hasani për rtv21.

Inflacioni në Kosovë ka arritur në 7.5%, ndër më të lartit në Evropë, ku si shkaktar kryesor po konsiderohet importi i lartë. Në përballje me këtë situatë, qeveria në detyrë miratoi një pako me nga 100 euro për kategori të ndryshme qytetarësh, veprim që nxiti reagime pasi u vlerësua se shpërndarja e parave nuk frenon inflacionin por siç u tha do ta nxisë edhe më shumë atë. Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Nexhat Hasani flet për nevojën që kanë bizneset prodhuese që të marrin ndihmë nga shteti.

“Unë nuk kisha dasht me i komentu ato 100 euro sepse qytetarët në Kosovë janë të varfër. Dikush ka ndoshta shumë nevojë për ato 100 euro të qeverisë, por ajo që po them është se pa prodhim të fortë nuk ka zhvillim ekonomik…”, u shpreh Hasani.

Kosova përmbylli vitin 2025 me një deficit rekord tregtar prej 6 miliardë eurosh. Ndërkohë, statistikat zyrtare flasin për rritje të këtij trendi. Në këtë situatë, profesori universitar i ekonomisë Sejdi Rexhepi flet për mungesën e një strategjie e cila do të krijonte mundësinë që të së paku një pjesë e produkteve të importuara të zëvendësoheshin me produkte vendore.

“Strategjitë ekonomike kanë munguar. Stimulimi i biznesit është shumë i vogël.”, shtoi Rexhepi.

Ndërkohë të dhënat e ASK-së flasin edhe për një rritje të tregtisë me Serbinë. Sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 deficiti tregtar me Serbinë është rritur për 126.4 përqind, duke arritur në mbi 173 milionë euro nga 76 milionë sa ishte në vitin 2024. Kosova gjatë vitit 2025 ka blerë produkte nga Serbia në vlerë prej mbi 234 milionë eurove ndërsa ka shitur pak mbi 61 milion euro duke shënuar një deficit të thellë tregtar. Ndërkohë vetëm në katër muajve të parë të vitit 2026, Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë prej afro 71 milionë eurosh, gati 300 mijë më shumë në periudhën e njëjtë të vitit paraprak./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button