BE thirrje aktorëve politikë: Të sigurohet zhvillimi i zgjedhjeve paqësore dhe gjithëpërfshirëse

Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, Zyra e Bashkimit Evropian i ka bërë thirrje spektrit politik që të sigurojë zgjedhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
Reagimi i BE-së pasoi ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, ku disa serbë u arrestuan për cenim të vullnetit të lirë të votuesve, si dhe thirrjet e Beogradit zyrtar që serbët lokalë të votojnë për Listën Serbe si një parti që, siç është thënë nga zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, është e vetmja që garanton mbijetesën në Kosovë.
Në një përgjigje për RTV21, BE-ja në Kosovë ka thënë se të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, të lirë nga ndërhyrjet dhe manipulimet.
Po ashtu, institucioneve të Kosovës u është bërë thirrje që të sigurojnë pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe të shmangin çdo veprim që dëmton një mjedis të favorshëm për zgjedhjet.
“Përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të promovojnë dhe sigurojnë zhvillimin e zgjedhjeve paqësore dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, të lirë nga ndërhyrjet dhe manipulimet.
Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të Kosovës të sigurojnë pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe të shmangin çdo veprim që dëmton një mjedis të favorshëm për zgjedhjet.
Po ndjekim nga afër seancën dëgjimore për arrestimin dhe ndalimin e shtatë serbëve të Kosovës për frikësim të dyshuar të votuesve.
Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, në Kosovë po e shqyrton çështjen në terren.
Ne mbështetemi te autoritetet e Kosovës që të respektojnë dhe sigurojnë një proces të rregullt ligjor gjatë gjithë procedurave, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.
Kjo përfshin sigurimin që çdo ndalim të jetë i nevojshëm dhe proporcional”, tha për RTV21 Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ditë më parë, shtatë serbë u arrestuan në Graçanicë nën dyshimin për cenim të vullnetit të lirë të votuesve, derisa një numër serbësh protestuan para stacionit policor në këtë komunë në mbështetje të të arrestuarve.
Të arrestuarit është thënë të jenë drejtorë të institucioneve arsimore e shëndetësore, të cilët, siç është raportuar, kanë marrë vendim për shkarkimin nga puna të një numri punonjësish serbë vetëm pse nuk e kanë përkrahur Listën Serbe për zgjedhjet e 7 qershorit. Këto shqetësime i kishte shprehur ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, njëherësh kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?