Uji, energjia dhe pijet me ngritjen më të madhe të çmimeve në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e parë të vitit 2026, sipas të cilit çmimet e prodhimit në vend kanë shënuar rritje si në baza tremujore, ashtu edhe vjetore.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit është rritur për 2.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025.
Ndërkaq, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, çmimet e prodhimit kanë shënuar rritje mesatare prej 7.9 për qind.
Rritjet më të mëdha në baza tremujore janë regjistruar te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me 34.4 për qind, prodhimi i pijeve me 15.9 për qind dhe prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës me 9.6 për qind.
Sipas ASK-së, ngritje pati edhe në prodhimin e metaleve, përpunimin e produkteve ushqimore, prodhimin e produkteve kimike, tekstilit dhe produkteve të gomës e plastikës.
Në anën tjetër, rënie të çmimeve pati te energjia elektrike, gazi dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 2.7 për qind, si dhe te prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve.
Sa i përket krahasimit vjetor, rritjet më të larta u evidentuan te furnizimi me ujë me 32.2 për qind, energjia elektrike me 18.1 për qind, prodhimi i letrës me 15.5 për qind dhe prodhimi i pijeve me 15.2 për qind.
ASK njofton se ngritja e çmimeve është zbutur nga ulja në sektorin e trajtimit të mbeturinave, prodhimit të metaleve dhe produkteve të lëkurës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?