Muriqi thyen rekordin e Eto’o-s dhe merr urimin nga legjenda

Vedat Muriqi është zyrtarisht mbreti i ri i golave te RCD Mallorca. Me golin e tij të fundit, sulmuesi kosovar ka arritur shifrën e 54 golave, duke thyer kështu rekordin prej 53 golash që mbahej nga legjenda botërore, Samuel Eto’o.

Për të festuar këtë arritje historike, klubi spanjoll ka publikuar një video emocionuese në Facebook, ku vetë Eto’o i ka dërguar një mesazh urimi “Piratit” kosovar. “Dua të të përgëzoj, jam i lumtur për ty për atë që sapo arrite. E di që është dashur shumë punë, vazhdo kështu, vazhdo ta shijosh dhe vazhdo ta bësh RCD Mallorcën edhe më të madhe,” u shpreh Eto’o në mesazhin e tij.

I befasuar nga ky gjest, Muriqi nuk i ka fshehur emocionet, duke vlerësuar lart kohën që legjenda kamerunase ndau për të.

“Nuk e prisja, faleminderit shumë për këtë video nga legjenda. Ai bëri një punë të madhe këtu. Jam mirënjohës që gjeti kohë. Kam 15 vite që luaj futboll dhe po të më thoshte dikush para 15 vitesh se Eto’o do të bënte një video për mua, do të thosha se është e pamundur. Faleminderit shumë shokëve të mi të skuadrës, stafit të klubit, tifozëve dhe familjes sime,” deklaroi Muriqi pas përfundimit të videos.

Back to top button