Asgjë të re për zgjedhjen e presidentit!

Ndërsa afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po rrjedhin, kryeministri Albin Kurti tha se ende nuk ka rezultate konkrete për arritjen e një marrëveshjeje.
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare; kur të ketë rezultate, atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti.
Ndërsa kandidati për president nga LVV, Glauk Konjufca, tha se nëse partitë opozitare nuk reflektojnë për marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje.
“Të dy subjektet politike nuk kanë qenë të vullnetshme të propozojnë emra. LDK-ja më ka lënë përshtypjen se do të takohen jo vetëm njëherë”, deklaroi Konjufca.
Por, në opozitë thonë se kryeministri Kurti nuk po dëshiron të gjejë zgjidhje për çështjen e presidentit të ri. Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, tha se Kurti po përdor një skenar për ta dërguar vendin në zgjedhje.
“I njëjti nuk ka as disponim, as vullnet, as energji për të qeverisur me Qeverinë e Kosovës. Kosova nuk ka pasur luks e as nevojë për të shkuar në zgjedhje, por zoti Kurti dhe subjekti i tij politik nuk po i japin drejtim kësaj çështjeje. Ne jemi të imponuar të përgatitemi si subjekt politik për të shkuar drejt zgjedhjeve”, tha Gashi.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se kryeministri Albin Kurti po dëshiron që, përmes takimeve me partitë politike opozitare, të imponojë zgjedhjen e presidentit të ri. Në një përgjigje për RTV21, deputetja Kadrijaj tha se Kurti synon të udhëheqë me tri institucionet qendrore.
“LVV-ja nuk po kërkon marrëveshje; ata po kërkojnë që opozita të qëndrojë në sallë për raundet e para, në mënyrë që të zgjidhet kandidati i mazhorancës. Kjo nuk është marrëveshje. Marrëveshje është kur partitë që po i fton zoti Kurti në takim t’u thotë: a keni një kandidat ose propozoni dy kandidatë? Kandidatët tuaj t’i kenë nënshkrimet tona, partive që po i fton, si PDK-së ose LDK-së, në mënyrë që t’ua japë pozitën e presidentit.”, tha Kadrijaja.
Nëse nuk ka një marrëveshje politike brenda afatit kushtetues, vendi shkon në zgjedhje./RTV21/21Media