Presidenti, Zogaj i LDK-së nuk e përjashton mundësinë për një “marrëveshje në moment të fundit”

(Lajm i përditësuar)
Zogaj i LDK-së: Kemi emër për president
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në emisionin “Click” në RTV21 tha se deri më tani, në diskutim me LVV-në për çështjen e presidentit, nuk kanë folur për emra, por për parime.
Ai shtoi se LDK nuk lejon që LVV-ja të ketë tri postet kryesore shtetërore.
“Nuk lejojmë që tri pozicionet kryesore politike të vendit t’i udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje, sepse nuk do të ishte demokratike”, tha Zogaj.
Sa i përket emrit për president, tha se në bisedime me LVV-në nuk kanë ardhur deri në atë moment kur do të propozohet dikush.
“Kur të vijmë te ai moment, ne normalisht që kemi emër. LDK është parti e madhe me përvojë të gjatë institucionale politike… normalisht kemi emër, por së pari duhet të vijmë te momenti i emrave”, u shpreh ai.
Zogaj i LDK-së: Jemi të gatshëm për të ofruar zgjidhje për presidentin
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj në emisionin “Click” në RTV21 tha se prej takimit të fundit para 10 ditësh të liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka pasur ndonjë bisedë zyrtare mes këtyre partive për zgjedhjen e presidentit.
“Ne kemi qenë të hapur vazhdimisht dhe jemi duke u munduar shumë që të jemi konstruktivë me qasje pozitive dhe t’i japim vendit presidentin, pra po e shohim se qytetarët nuk kanë dëshirë dhe vullnet për një palë zgjedhje të reja, këtë po e vërejmë edhe te palët politike, jemi të gatshëm për të bërë maksimumin për të ardhur deri te zgjidhja e këtij ngërçi politik”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka diçka konkrete./RTV21/21Media