Deputetët vazhdojnë përplasjet në Kuvend

Shqetësime për projektligjin për shtetësinë e Kosovës ngriti deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila tha se  ky ligj është i dëmshëm për Kosovën dhe rrezikon sigurinë e brendshme të vendit. Sipas saj, për deputetët e mazhorancës nuk vlen asnjë rregull tjetër përveç urdhrit të Dejona  Mihalit.

“Iu bëjë thirrje juve para se të nënshkruani këtë ligj pasi siç duket meqë veç jeni ushtruese e detyrës së presidentes ju do ta keni fatin ta nënshkruani këtë ligj pas 8 dite, iu kisha lutur ta lexoni mirë dhe të merrni këshilla sepse ky ligj e rrezikon sigurinë e brendshme të Kosovës…është e qartë se këtu nuk vlen asnjë rregull tjetër përveç urdhrit të Dejona Aleksandër Mihali e pamë edhe pak më herët deputetët e mazhorancës nuk guxojnë ta ngrisin dorën për të votuar pa e parë me sy se aty shkruan që nuk është i propozuar nga opozita” ,tha ajo.

“Isha duke të dëgjuar shumë me vëmendje deputeten Musliu edhe po të mos e kishe përmendur këtë pjesën e fundit, natyrisht që do ta vlerësoja një qëndrim të tillë dhe do të kujdesesha që kur vjen në zyre që të kem parasysh këtë aspekt që e përmende, por e tregove qëllimin edhe nuk kam nevojë me u marrë me këtë çështje”, tha ajo.

Ndërkohë deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci tha se  projektligji ua mundëson mërgatës rikthimin e shtetësisë.

“Ky ligj ua mundëson mërgatës rikthimin e shtetësisë dhe pikërisht ky ligj lehtëson procedurat edhe për kthimin e fëmijëve të tyre pa marr parasysh se në cilin vend jeton“, tha ai.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku ndërkaq tha se ligji nuk është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së.

“Për ligje të tilla të cilat janë jetike për shtetin e Kosovës duhet të kemi posaçërisht kujdes që shkojmë me procedura të rregullta”, tha ai.

Ligji për shtetësinë e Kosovës u kundërshtua edhe nga deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi

“E kemi parë mënyrën se si ka ardhur në mënyrë të përshpejtuar dhe duke mos pasur kohë e as mundësi të shqyrtohet në mënyrë të rregullt ky ligj, ne nuk e shohim të arsyeshme që të mbështetet një ligj i tillë”, deklaroi ajo.

Pavarësisht kundërshtimeve opozitare ligji për shtetësinë u miratua më 69 vota për dhe 2 vota kundër.

Gjatë seancës së sotme pa votat e opozitës u miratua edhe Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Kritika për Projektligjin ka shprehur deputetja PDK-së Blerta Deliu.

Deliut iu përgjigj kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.

”Partnerët janë partnerë por vendimin e merr ky Kuvend. Nëse dikush do që Kosova të dështojë në organizim të Lojërave Mesdhetare shumë gabim e ka. Ose ta zgjedhim presidentin dhe të ecim me çështje të tjera pa nguti”, ka theksuar Haxhiu.

“Partia Demokratike nuk është kundër lojërave. Ngutia që të kalohen ligje duke shkelur rregulla e duke përmendur ju sot afatin për presidentin kjo nuk do të duhej t’i shkojë për shtati Kuvendit”, ka theksuar Deliu-Kodra.

“Ju ftoj që të bëheni zëdhënës të qytetarëve dhe jo zëdhënës të Zyrës së BE-së sepse ata i kanë zëdhënësit e tyre”, ka theksuar Haxhiu.

Kuvendi miratoi edhe Ligjin për banim social dhe të përballueshëm, Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore etj./RTV21/21Media

Back to top button