​Sekuestrohen mbi 120 mijë euro, ndalohen katër shtetas rumunë

Policia e Kosovën bën të ditur se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme parash të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar “Dheu i Bardhë”.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në vijën e dytë është ndaluar për kontroll të detajuar një automjet i tipit BMW, me ngjyrë të zezë, i cili kishte hyrë në Republikën e Kosovës përmes Serbisë. Në automjet ndodheshin katër persona, shoferi dhe tre pasagjerë, të gjithë shtetas të Rumanisë.

Fillimisht, të dyshuarit kanë deklaruar se nuk kishin asgjë për të deklaruar. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar, duke përdorur pajisje të specializuara përfshirë video-kamerë kontrolli, zyrtarët policorë dhe doganorë kanë zbuluar para të fshehura në pjesë të ndryshme të automjetit.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar mbi 122 mijë euro dhe mbi 4 mijë lei rumunë. Mjetet monetare janë dorëzuar tek Dogana e Kosovës për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në luftimin e aktiviteteve ilegale që dëmtojnë ekonominë dhe interesin e qytetarëve, duke riafirmuar vendosmërinë për parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme në vend.

Back to top button