Ura mbi Ibër, pika më e “nxehtë” që nga paslufta
U krijuan konfuzion, paqartësi e tensione tek qytetarët e Kosovës
Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, sinonim i qytetit të ndarë, por me nostalgjinë se një ditë do të bashkohet, u shndërrua në simbol të kronologjisë pothuajse të të gjitha ngjarjeve të errëta në këtë qytet, prej pasluftës e deri më sot.
Shpesh herë zhvillimet politike në vend, madje edhe ngjarjet sportive ku janë përfshirë përfaqësueset e Shqipërisë, Serbisë, ose edhe vendeve mike të shqiptarëve, kanë reflektuar për pak minuta duke shkaktuar ‘termet’ në qytetin e Mitrovicës, ndërsa pika e tensioneve ishte sërish ura mbi Ibër.
Ura, tashmë e famshme për faktin se mbi supet e saj mban mbi 1 mijë incidente të ndryshme përgjatë këtyre 18 viteve, ka ndryshuar pamjen disa herë, ndërsa punimet e fundit rreth saj krijuan konfuzion, paqartësi e tensione tek qytetarët e Kosovës dhe kanë ngjallur mosbesim ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Halit Barani, kryetar i KMLDNJ-së në Mitrovicë, kujton 26 qershorit të vitit 1999 kur ushtarët francezë mbyllën urën me gjemborë, duke thënë se ajo nuk u hap më kurrë.
Sipas tij, dikush edhe mund të mendojë se ura është hapur dhe mbyllur herë-herë për qarkullim, por këmbëngulë se ajo është mbyllur në datën e lartpërmendur dhe nuk është hapur më asnjëherë..
Ai nuk sheh bashkim të qytetit, duke thënë se kjo çështje tashmë veç ka përfunduar, por një lëvizje më e shprehur e qytetarëve shqiptarë mund të ndodhë, shumë vite më vonë.
“Në vitin 2004 saktësisht më 16 mars në fshatin Çabër të Zubin Potokut, banditët dhe kriminelët serbë, kanë ndjekur pesë të rinjë shqiptarë, prej të cilëve tre kanë rënë në Ibër… Dy prej tyre kanë shpëtuar dhe janë gjallë, ndërsa tre janë mbytur në ujë. Serbët i kanë ndjekur me qenë. Pastaj prej mllefit shqi ptarët kanë dalë, së pari punëtorët shëndetësorë kanë protestuar në qytetin e Mitrovicës, protestat kanë qenë të qeta… Fatkeqësisht protesta ka marr përmasa më të gjera, është përshkallëzuar, dhe më 17 mars të vitit 2004 në Mitrovicë u vranë katër shqiptarë dhe dy serbë… si dhe u plagosën shumë të tjerë me armë zjarri… Do të thotë kanë qenë ato protesta të përgjakshme të organizuara jo nga shqiptarët sigurisht, por nga qarqe tjera të ndihmuara edhe nga një pjesë e atyre paqëruajtës që quhen të Bashkësisë Ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Ai ka kujtuar edhe 22 korrikun e vitit 2011, kur katër kamionët e parë me zhavorr janë zbarkuar në urën e lumit Ibër.
“Është e mundur që ura do të bashkojë në ato data që janë cekur, por vitet nuk i kanë përmendur. Është e mundur në vitin 2036, jo me u bashku qyteti”, ka thënë Barani.
Analisti nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, theksoi se ura kryesore e Ibrit për fat të keq, prej pasluftës ka qenë simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve.
Sipas tij, gjithçka është zhvilluar në këtë urë, përveç ngjarjeve të mira.
Analisti malazez nga veriu, u shpreh i bindur se politikanët nuk mund t’i bashkojnë serbët dhe shqiptarët, dhe sugjeroi që ata duhet vetë të bashkohen duke kuptuar se e ardhmja e tyre është rruga e paqes, prosperitetit dhe integrimit në bashkëjetesë.
“Gjithçka është zhvilluar në këtë urë, përleshje të shqiptarëve e serbëve, përleshje mes shqiptarëve dhe KFOR-it, pastaj mes KFOR-it dhe serbëve, më së paku kanë ndodhur gjëra të mira, gjëra që në fakt është dashur të ketë më së shumëti”, tha ai.
Sipas tij, pastaj pason koha e barrikadave të cilat mbinë pothuajse çdo kund në veri të Kosovës, nëpër rrugë, magjistrale dhe në këtë urë.
Ai nuk foli për ndërprerjen e punimeve tek ura dhe vazhdimin e tyre, por duke u shprehur skeptik për përurimin e urës në maj, tha se megjithatë një gjë e tillë do të ndodhë pas disa muajsh.
Në anën tjetër, analisti nga jugu i qytetit të Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, thotë se historia e urës mbi lumin Ibër, është në fakt histori e Kosovës e këtyre 17 viteve.
Sipas tij, të gjithë ata që kanë bërë këtë marrëveshje meritojnë epitetin e tradhtarit të kombit.
“Historia e urës është në fakt historia e Kosovës e këtyre 17 viteve të pasluftës. Sa ka pasur forca progresive në pushtet janë bërë hapa para, sa ka pasur forca regresive në pushtet janë bërë hapa prapa”, tha Spahiu.
Ndërsa, për Qeverinë e Kosovës thotë sa nuk ka autoritet për asgjë.
“Kjo qeveri nuk ka autoritet për asgjë, por ishte dashur të ketë, këtu qëndron problemi… Ajo që është bërë në Bruksel meriton, ata që kanë bërë këtë marrëveshje meritojnë epitetin e tradhtarët të kombit…9 maji është veç edhe pas pak ditësh dhe punët që kanë mbetur aty sigurisht se nuk do të mund të kryhen deri në atë datë qysh është paraparë për përurim…Mendoj se do të kryhen atëherë kur Vuçiqi mendon se është e përshtatshme për të, sepse faktorët tjerë nga të cilët do të duhej të varej kryesisht, e që është qeveria e Kosovës, është inekzistente në këtë muhabet”, ka thënë Spahiu.
Është pyetur Ministristria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të Zyrës së BE-së, në lidhje me vazhdimin e punimeve mbi urë, si dhe përurimin e këtyre punimeve që ishte paraparë më 9 maj në Ditën e Evropës, por nuk është përgjigjur.
Edhe kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, i cili më 19 prill pati urdhëruar ndërprerjen e punimeve tek ura, ka qenë jo i qasshëm në telefonin e tij për ditë të tëra.