Si zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Francë?

Betimi i presidentit do të bëhet më 14 maj

Rreth 47,5 milionë francezë janë thirrur të votojnë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës franceze me dy kandidatë në listë kandidatin e qendrës, pro-evropianin, Emmanuel Macron dhe kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.

Si zgjidhet presidenti?

Presidenti zgjidhet me votim universal të drejtpërdrejtë, me sistem politik mazhoritar me dy ture, për një mandat pesë vjeçar.

Ai duhet të marrë mazhorancën absolute shprehur në një apo dy turet, kushdo qoftë përqindja e pjesëmarrjes.

Vota e bardhë, që mundëson shprehjen e refuzimit të zgjedhjes nuk njihet në Francë. Që prej një ligji në vitin 2014, këto vota numërohen të ndara nga votat nyl dhe të aneksuara si të tilla në proces verbalin e çdo qendre votimi, por ato nuk merren parasysh në llogaritjen e votave të shprehura.

Cilët janë kandidatët?

Votuesit duhet të zgjedhin mes dy kandidatëve që kryesuan në turin e parë më 23 prill, pas një zgjedhje shënuar nga eliminimi i partive të mëdha tradicionale e djathta (Republikanët) dhe e majta (Partia Socialiste).

Në turin e parë, Emmanuel Macron, 39 vjeç (Në lëvizje! parti e qendrës) mori 24,1 për qind të votave duke kryesuar Marine Le Pen, 48 vjeçe (Fronti Kombëtar, ekstremi i djathtë) 21,30 për qind.

Si zhvillohet votimi?

46,97 milionë zgjedhës janë regjistruar në listat zgjedhore, 1,3 milionë prej të cilëve jashtë Francës.

Rreth 66 546 qendra votimi do të hapen në orën lokale 08:00 (06:00 GMT) dhe do të mbyllen në orën 19:00 (17:00 GMT), një orë më vonë se zgjedhjet e mëparshme presidenciale. Në disa qytete të mëdha, qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00 (18:00 GMT). Votimi do të zhvillohet sot në Antilet franceze, në Guyane (Amerikën e Jugut), në Shën Pjetër dhe Miquelon (arkipelagu francez i Amerikës së Veriut) dhe në Polinesinë franceze (Paqësori i Jugut).

Më shumë se 50 000 policë dhe efektivë, mbështetur nga 7 000 trupa të operacionit Sentinelle (vendosur në mënyrë të përhershme në territorin kombëtar që prej atentateve xhihadiste në muajin janar 2015 në Paris) janë mobilizuar.

Është hera e parë në historinë e Republikës së pestë që zgjedhjet presidenciale zhvillohen nën regjimin e gjendjes së urgjencës, vendosur në kuadër të atentateve të 13 nëntorit 2015.

Rezultatet?

Si zakonisht, francezët i kanë sytë të përqendruar në eksranet e televizorit në orën 20:00 (18:00 GMT) për të zbuluar fytyrën e presidentit të ri.

Ligji francez ndalon publikimin e rezultateve, përveç atyre përsa i përket pjesëmarrjes, para mbylljes së votimit, të dielën në orën 20:00 (18:00 GMT) për të shmangur influencimin e zgjedhësve. Mbyllja e vonuar e qendrave të votimit vështirëson punën e instituteve të sondazheve, që do të kenë një orë më pak për të përgatitur vlerësimet e tyre duke nisur nga numërimi i pjesshëm.

Betimi i presidentit të tetë të Republikës së pestë do të zhvillohet më 14 maj, data e përfundimit të mandatit të François Hollande.

Presidentët e mëparshëm janë:

2012-2017 : François Hollande (socialist)

2007-2012: Nicolas Sarkozy (i djathtë)

1995-2007: Jacques Chirac (i djathtë) një mandat shtatë vjeçar dhe një pesëvjeçar

1981-1995 : socialisti François Mitterrand, i cili ka mbajtur dy mandate shtatë vjeçare.

1974-1981: Valery Giscard d’Estaingut (qendra e djathtë), i cili ka kryer një mandat shtatë-vjeçar

1969-1974: Georges Pompidou (i djathtë), vdiq dy vjet para përefundimit të mandatit të tij.

1959-1969: Charles de Gaulle (i djathtë), zgjedhur nga një kolegj zgjedhor për mandatin e parë shtatë vjeçar dhe më pas rizgjedhur me votim universal të drejtpërdrejtë në vitin 1965

Back to top button