Pas shtyrjes së votimit të buxhetit 2019, reagon ashpër LDK-ja
LDK: PSD-ja duhet ta dijë se po bëhet përgjegjëse për dëmin që po i bëhet shtetit të Kosovës që është duke mbajtur në pushtet një qeveri të pakicës
Qeveria e Kosovës sot e ka shtyrë miratimin e buxhetit për javën e tretë të janarit. Me këtë rast ka reaguar partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas tyre kjo shtyrje reflekton në mungesën e legjitimitetit për të qeverisur me vendin.
Sipas një komunikate të LDK-së drejtuar medieve kjo shtyrje është e kundërligjshme dhe thellon krizën institucionale, ata numërojnë tri pika pse kjo është e dëmshme.
“E para, kjo është e kundërligjshme. Nuk mundet Kryeministri të deklarohet për këtë çështje. Në momentin e dorëzimit të çdo projektligji në Kuvend, është përgjegjësi e Kuvendit të procedojë në përputhje me Rregulloren e Punës. E dyta, kjo shtyrje tregon se pazaret në mes të PAN dhe PSD-së nuk janë mbyllur. E treta, kjo shtyrje e thellon krizën institucionale në të cilën gjenden vendi.”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së është hera e parë që buxheti nuk aprovohet brenda afatit ligjor 31 dhjetor. “Kjo është mungesa e legjitimitetit, që e kemi theksuar nga prill i këtij viti, ku Qeveria nuk i ka votat minimale në Kuvend për të funksionuar. Mungesa e legjitimitetit ka bërë që të gjitha seancat e sesionin vjeshtor 2018 të Kuvendit të Kosovës, gjithsej 11 seanca, të mbesin të hapura. Ky është qyqarllëk i koalicionit PAN. Këta nuk kanë zotësi të qeverisin me vendin në mënyrë demokratike. E në anën tjetër, nuk kanë guxim të ballafaqohen me qytetarët dhe të japin përgjegjësi. Këta qyqarë po e mbajnë vendin peng, duke bërë pazare me PSD-në me buxhetin e shtetit vetëm për të qëndruar në pushtet”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo parti gjithashtu tha se PSD-ja duhet ta dijë se po bëhet përgjegjëse për dëmin që po i bëhet shtetit të Kosovës dhe rendit demokratik, sipas tyre duke mbajtur në pushtet një qeveri të pakicës.
Buxheti i Kosovës për vitin 2019 parashihet të jetë 2.3 miliardë euro./21Media