“Mallkimi mbi Serbinë do të vijë nga fëmijët tanë”

Homazhe te obelsiku i të pagjeturve

Me rastin e ndërrimit të moteve, krerët e shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, kanë bërë homazhe dhe vendosën lule tek obelsiku i të pagjeturve në oborrin e Kuvendit.

Haradinaj tha se Kosovës i mungojnë njerëzit e saj, çdo ditë e çdo vit.

“Sot, në këtë fundvit, bëra homazhe te obelisku për të pagjeturit, në shenjë bashkëndjenje e respekti për secilin familjar që ende jeton në agoninë e pritjes për më të dashurit dhe me zotimin se do të bëjmë çmos për ta ndriçuar fatin edhe të njeriut të fundit të Kosovës, të zhdukur gjatë luftës”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,sot, në prag të Festës së Vitit të Ri, i shoqëruar nga familjarë të të pagjeturve, gjithashtu bëri nderime dhe vendosi lule pranë obeliskut të të pagjeturve.

Veseli tha se fati i kombit tonë ka qenë i tillë që edhe tani pas 19 vjetëve, për shumë nga familjarët tanë të mos dimë asgjë.

Ai u shpreh se mallkimi mbi Serbinë do të vijë pikërisht nga fëmijët tanë, vëllezërit dhe motrat tona, nënat e baballarët, të cilët ende nuk janë gjetur.

“Ne jemi krenarë për të kaluarën tonë dhe nuk do të ndalemi në rrugën tonë të zhvillimit. Kemi partnerë të fuqishëm, SHBA-të dhe vendet perëndimore. Si shtet dhe si institucione, nuk do të ndalemi. Familjet duhet të jenë të forta dhe krenare. E di që kanë të drejtë të jenë të pakënaqur edhe me ne, por të gjithë duhet ta dimë se Serbia është ajo e cila ia ka shkaktuar këto dëme Kosovës dhe për këtë ajo duhet të paguaj”, tha Veseli.

Më pas kryeparlamentari priti në hollin e Kuvendit familjarët e të pagjeturve me të cilët ka bashkbiseduar dhe i ka siguruar se në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, delegacioni kosovar do ta ketë në prioritet diskutimin për të pagjeturit, pasi sipas Veselit, Serbia e din për fatim e tyre dhe ka obligim të tregojë dhe të përgjigjet për këtë plagë të madhe që kanë familjarët e të pagjeturve tash e dy dekada.

Janë mbi 1 mijë e 600 persona të cilët konsiderohen si të pagjetur./21Media

Back to top button