Krasniqi reagon për letrën e Thaçit dërguar Trumpit
Sipas Krasniqit, gatishmëria për kompromis do të thotë dhënia e një pjese të Kosovës Serbisë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fillim të muajit janar ia ka kthyer letrën Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Kjo u bë e ditur dje nga një komunikatë për media e dërguar nga presidenca në të cilën është treguar se çfarë i kishte shkruar presidenti Thaçi, Trumpit.
Por, kritika drejtuar kësaj letre të Thaçit ka kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi. Ai vlerëson se Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese kur ka ofruar kompromis paraprakisht, dhe se gatishmëria për kompromis nuk do të thotë bashkim i tri komunave të Kosovës, por, dhënia e një pjese të Kosovës Serbis.
“Është e qartë, gatishmëria për kompromis nuk donë të thotë: bashkim i tri komunave të Kosovës Lindore me Kosovën, por dhënia e një pjese të Kosovës Serbisë, madje këtu rrezikohet e gjithë hapësira jonë vitale përtej lumit Iber. Në ketë rast dhimbja është edhe më e madhe se e tërë kjo po vije pas kompromiseve të shumta që Kosova ka bërë në Bisedimet e Vjenës dhe më pas në Bisedimet e Brukselit. Kjo që e ka bërë një njeri, qoftë edhe njeriu i parë i vendit, për gatishmërinë për kompromis të ri pas shumë kompromiseve të njohura, e ka vetëm një emër – tradhti. Madje, edhe sikur e tërë kjo të ishte arritur pas një konsensusi nacional në mes partive politike pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës për kompromis do të ishte tradhti e cila do të duhej të parandalohej nga qytetarët e Kosovës. Por krejt çështja është, në ketë hallakamë protestash për interesa vështirë të arsyeshme për rrethanat tona, si po duket pak ka hapësirë për veprime racionale afatgjata”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Në fund të këtij reagimi, Krasniqi shtoi se ajo që duhet ta kërkonte kompromisin është vetëm Serbia e trashëgimtarëve të Millosheviqit.
“Të gjithë në Kosovë duhet ta dinë se Republikës së Kosovës jo vetëm që si duhen kompromise e konferenca të reja, kuptohet pas Bisedimeve të Vjenës, ashtu si nuk i janë dashur as Bisedimet politike të Brukselit të cilat veç situatave konfliktuoze nuk kanë krijuar asgjë të mirë. Dhe ato situata i kemi parë shumë herë gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit. Nëse dikush do të duhej ta kërkonte kompromisin, ai dikush do të duhej të ishte vetëm e vetëm Serbia e trashëgimtarëve të Millosheviqit e jo shqiptarët – viktimat më se njëshekullore të regjimeve të ndryshme serbe”, shtoi më tutje Krasniqi.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, më 18 dhjetor kishte pranuar një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump./21Media