Meta me katër kërkesa emergjente për Ramën
Meta takoi drejtuesit shkencorë
Presidenti Ilir Meta, pas takimit që zhvilloi me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama katër kërkesa emergjente.
Këtë presidenti e bëri të ditur në llogarinë e tij në Facebook.
Meta kërkon:
– Fillimin e punës sa më parë, për azhurnimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret, etj;
– Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;
– Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;
– Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor.
Ndërkohë, deputetët e mazhorancës dhe opozitës parlamentare sot kanë gjetur kohë për të mbledhur Komisionin Hetimor për Metën, me qëllim shtyrjen e afatit të veprimtarisë edhe me 4 muaj të tjerë./21Media