Kurti: Hoti do të ishte mirë të lirohej
Kurti ka thënë se do të ishte mirë që Hoti të lirohet nga paraburgimi
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar kërcënimin që i është bërë nga zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti.
“Unë nuk jam John Fitzgerald Kennedy kurse z. Haxhi Hoti nuk është Lee Harvey Oswald. Nuk mund t’i vlerësoj çështjet e sigurisë dhe as të përzihem në ato të drejtësisë, por besoj që do të ishte mirë që z. Hoti të lirohet e ta presë Vitin e Ri 2020 me familjen e tij në shtëpinë e tij”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Anëtari i Nismës Social Demokrate, Haxhi Hoti është arrestuar pas deklaratave të tij të mbrëmshme ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë nisur hetimet ndaj Hotit. “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se pas informacionit të publikuar në rrjete sociale të personit me inicialet H.H., ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po ashtu bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar, personi në fjalë është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme.
Kandidati për deputet nga radhët e Nismës, Haxhi Hoti mbrëmë ka deklaruar se “Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshoj Kosovën ose (mund) të vritet”. Hoti më vonë ka thënë se ky ishte një gabim teknik./21Media