Haradinaj u takua me zyrtarin e lartë amerikan, Jorgan Andrews

Sipas Haradinajt, Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit të sigurisë

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj sot zhvilloi takim me Zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shtetit nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të ligjit, Jorgan K. Andrews. Haradinaj u shpreh pas takimit se me Andrews bisedoi për partneritetin e Kosovës me ShBA-të, në luftë kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Haradinaj përmes një postimi në facebook u shpreh se gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit të sigurisë, veçmas duke forcuar Policinë, Prokurorin dhe Gjykatat dhe është partner i denjë edhe për operimet globale në këtë fushë.

“E falënderova z. Andrews për ndihmën e pakursyer që ShBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në forcimin e institucioneve të vendit dhe kërkova nga ai që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve tona, karshi përgjegjësive të përbashkëta. Kosova ka arritur të ndërtoj institucione kredibile dhe të avancojë në profilizimin e tyre, falë edhe partneritetit me ShBA-të dhe sot jemi të gatshëm të qëndrojmë në krah me vendet aleate, në sigurimin e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm për qytetarët tanë!”, shkroi Haradinaj në facebook.

Kujtojmë që, zëvendës-ndihmës sekretari i SHBA-së, Jorgan Andrews do të qëndrojë sot në Kosovë për t’u takuar me përfaqësuesit e qeverisë dhe shoqërisë civile, të cilët merren me çështjet e sundimit të ligjit.

Me organizim të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinë nga ora 11:30 do të mbahet sesion diskutimi ku do të marrë pjesë edhe Andrews. Gjithashtu, Andrews nga ora ora 14:00 do të marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit të donacionit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku Byroja për Çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit (INL) dhuron pajisje me vlerë rreth 100,000.00 dollarë.

Andrews do t’i adresohet audiencës lidhur me rëndësinë e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë në Kosovë. Ai do të ndajë vizionin e SHBA-ve lidhur me Kosovën në këtë fushë./21Media

Back to top button