Putin viziton Krimenë, Kievi proteston
Putin vizitoi në Krime pushimoren e rinisë Artek në bregun e Detit të Zi
Ukraina ka dënuar sot vizitën e presidentit rus Vladimir Putin në gadishullin e Krimesë, duke e quajtur atë si një shkelje të sovranitetit të saj.
Ministria e Jashtme e Ukrainës dënoi vizitën duke e quajtur një shkelje të madhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
Putin vizitoi në Krime pushimoren e rinisë Artek në bregun e Detit të Zi, njoftoi Kremlini.
“Jo shumë kohë më parë Artek ka përjetuar kohë të vështira, por tani është në rrugën e duhur për të qenë përsëri pushimore ndërkombëtare”, tha Putin në një intervistë me të rinjtë.
Artek u themelua në vitin 1925 si një sanatorium për fëmijët me tuberkuloz, ndërsa më vonë u shndërrua një vendpushim për pionierët sovjetikë, fëmijë të moshës 10-14 vjeç.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Artek mbeti në Ukrainën e pavarur, dhe në vitin 2009 ishte në prag të shuarjes. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, pushimorja u rinovua dhe filloi serish të punojë.