ATK tregon se si mund të përfitoni nga shlyerja e ndëshkimeve

 

Administrata Tatimore e Kosovës sot informoi se do të hiqen ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit, të cilët kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit.

Sipas ATK-së, të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve, me kusht që të njëjtit, të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021.

Pra, heqja e ndëshkimeve, siç u njoftua, bëhet për të gjithë tatimpaguesit, nëse:

Tatimpaguesit bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit;
Tatimpaguesit bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste;
Tatimpaguesit janë në marrëveshje me ATK-në dhe paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin.

“Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar brenda periudhës ligjore deri me 30 qershor 2021, do të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve. Heqja e ndëshkimeve për tatimpaguesit të cilët paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, do të bëhet në mënyrë automatike nga ATK, pra tatimpaguesi nuk obligohet të aplikoj për heqje të ndëshkimeve.”, bëri të ditur ATK përmes njoftimit./21Media

Back to top button