Dështon seanca kundër 35 policëve të akuzuar për korrupsion
Damati: Lufta e vërtetë e korrupsionit duhet të fillohet nga kokat e kësaj shoqërie
Seanca gjyqësore kundër 35 policëve të akuzuar, 15 nga stacioni i jugut të Mitrovicës dhe 20 policë nga veriu është shtyrë në afat të pacaktuar.
Seanca u shty për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve, përkatësisht Manojllo Vllashkoviq, i cili mungoi për shkaqe shëndetësore.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Avni Mehmeti, nuk janë plotësuar kushtet e mbajtjes së kësaj seance gjyqësore, ndërsa kërkoi që për shkak të efikasitetit të lëndës, të veçohet procedura për policët e stacionit të veriut, nga ata të stacionit të jugut.
Nga ana e saj, prokurorja Zejnije Kela, u pajtua me propozimin për veçim të procedurës, ndërsa disa nga avokatët e kundërshtuan këtë propozim.
Avokati Musa Damati, ka thënë se lufta e vërtetë e korrupsionit duhet të fillohet nga kokat e kësaj shoqërie. Sipas tij, procedura nuk duhet të veçohet për shkak të interesave të drejtësisë në radhë të parë, si dhe për shkak të sistemit unik i cili ekziston në territorin e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, 35 policët e dyshuar u arrestuan në dhjetor të vitit të kaluar në një aksion gjatë të cilit në pranga përfunduan gjithsej 59 policë. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të mitos./21Media