“Tensioni i panevojshëm në Kamenicë, komuna ka përgjegjësi për arsim”
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj situatës në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës. KMDLNj e ka quatur të panevojshme situatën e tensionuar në Kamenicë, duke thënë edhe se komuna ka përgjegjësi për arsim.
“TENSIONIM I PANEVOJSHËM NË KAMENICË, KOMUNA KA PËRGJEGJËSI PËR ARSIM! Zhvillimet e fundit sidomos në fshatin Shipashnicë e Poshtme i qesin një hije të keqe të gjithëve, nxënësve, arsimtarëve, prindërve, zyrtarëve të komunës së Kamenicës dhe Policisë së Kosovës e cila ka intervenuar në zbatim të Ligjit. Në Kosovë nuk është vetëm Kamenica që ka filluar reforma në arsim mirëpo nuk ka patur reagime sikur në Kamenicë. Duket se është duke u zhvilluar një fushatë kundër kryetarit Kastrati e që ka një prapavijë politike, ndryshe si mund të kuptohet ndërhyrja në kompetencat që ekskluzivisht i takojnë komunës dhe kryetarit të saj. E kemi një situatë absurde në një shtet ku ligjet vlejnë për të gjithë qytetarët apo, së paku ashtu shkruan në dokumentet zyrtare ; në kohën kur në komunat me shumicë serbe, komuna e organizon sistemin arsimorë nga niveli parashkollorë e deri te ai universitar dhe ku mësohet me planprogramet e Serbisë , në komunën e Kamenicës kjo e drejtë iu mohohet DKA–së dhe kryetarit të komunës, Qendron Kastratit, ndonëse me asgjë nuk e kanë shkelur ligjin dhe nuk ka punuar kundër intereseve të vendit, të komunës dhe të vet nxënësve”, është bërë e ditur në reagimin e KMDLNj-së.
Banorët e fshatit Shipashnicë e Poshtme e Komunës së Kamenicës dje kanë bllokuar hyrjen e shkollës, kjo me qëllim për të mos i lënë zyrtarët komunal që të vendosin inventarin për fëmijët parashkollorë. Por, situata është tensionuar, ku edhe është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës.
Ndryshe, MASHTI në prill të këtij viti ka marrë vendim për organizim të përshpejtuar të mësimit për 441 nxënës në Kamenicë, të cilët për pothuajse dy vjet nuk janë pjesë e sistemit edukativo arsimor, për shkak të reformave arsimore./21Media