Dyshohet për grip të shpezëve në 4 ferma në vend
Agjencia e ushqimit dhe Veterinarisë, përmes një komunikate ka informuar qytetarët, infermierët, institucionet qendrore dhe lokale se kanë dyshime të bazuara për paraqitjen e sëmundjes, “Gripi i Shpezëve(Avian Influenza), tek shpezët në fermat e ekonomive familjare, në katër lokacione në vend.
Për luftimin e sëmundjes zoonotike të shpezëve, autoritetet kanë propozuar disa hapa, që të ndërmerren si veprime të menjëhershme në parandalimin e përhapjes së “Gripit të Shpezëve”.
1.Ndalohet lëvizja e shpezëve nga fermat, mbajtja e panaireve, tregjeve, ekspozitave dhe grumbullimeve të tjera të shpezëve dhe zogjve të tjerë.
2.Të ngritët niveli i biosigurisë në ferma për të penguar përhapjen e sëmundjes.
3.Kontrollimi i lëvizjes së shpezëve brenda zonës së mbikëqyrjes duke i zbatuar masat e dezinfektimit.
Masat që do të aplikohen në zonat mbrojtëse janë; identifikimi i të gjitha pronave me shpezë brenda zonës, vizita periodike e të gjitha pronave me shpezë, ekzaminimi klinik i shpezëve, përdorimi i mjeteve të duhuar për dezinfektim në hyrje dhe dalje të pronës si dhe ndalohet edhe transporti i shpezëve pa aprovim nga autoriteti kompetent.
Ndërkohë, Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve, bënë të ditur se do të punojnë në këtë drejtim, për menaxhim sa më të mirë të situatës, në parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje./21Media