Kurti: Mos pastë Ballkani, as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale
Kryeministri Albin Kurti, sot në 26 vjetorin e Srebrenicës u shpreh se duan paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por, siç theksoi Kurti, themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve.
“Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve. I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale.”, shkroi Kurti në facebook.
Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore./21Media