Osmani: Në këtë dite zie, Nora i solli dritë Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas fitores së medaljes së artë të Nora Gjakovës në “Tokyo 2020” theksoi se në këtë dite zie për popullin tonë, Nora Gjakova i solli dritë Kosovës.
Ajo falënderoi Gjakovën dhe theksoi se xhudistet kosovare po i arrijnë majat, që shumë shtete i kanë ëndërruar.
“Faleminderit Nora e artë, që duke ecur rrugës së Majlindës e Distrias po i jepni motiv një populli të tërë për t’u ringritur edhe në vështirësi. Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona. Përzemërsisht, ju faleminderit!”, shkroi Osmani në facebook, ku postoi një fotografi të Norës.
Ndryshe, xhudistja Nora Gjakova arriti ta bëjë përsëri Kosovën që të shkëlqejë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, ku fitoi finalen që ia siguroi medaljen e artë. Kjo është medalja e dytë e artë që ka siguruar Kosova në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, pasi edhe Distria Krasniqi ia siguroi një të tillë, në kategorinë -48 kg./21Media