IKSHPK: Ruani ushqimet nga minjtë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për kujdes nga sëmundja e etheve të minjve.
Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, IKSHPK ka kërkuar nga prindërit të kujdesen për fëmijët e tyre, të ruajnë ushqimet nga minjtë dhe të mos konsumohen frutat e malit të palara.
“Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëses. Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas tyre, trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqitet me kohë.
“Poqese të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat. Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.
Masat parandaluese:
1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë
4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar
5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve
7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
8. Mos hidhni mbeturina kudo
9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes
10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve./21Media

Back to top button