Ademi: Sot po nis një epokë e re në futbollin tonë
Superliga e Kosovës në futboll sot hap edicionin e ri garues 2020/21 ku pritet një kampionat cilësor dhe në këtë do të ndikojë edhe përdorimi i teknologjisë VAR.
“Sot po e nisim një tjetër edicion të ri të futbollit në vendin tonë. Pas një periudhe të gjatë me stadiume të boshatisura, tani na gëzon fakti se kampionatin e ri po e fillojmë me praninë e tifozëve në tribuna, ndonëse ende me numër të reduktuar si pasojë e pandemisë COVID-19.Jam i lumtur që sot po nis një epokë e re në futbollin tonë, pasi të gjitha ndeshjet e Superligës do të luhen me sistemin VAR. Këtë projekt e nisa me përkushtim në fillim të vitit dhe ndonëse kishte zëra skeptikë për implementimin e tij, falë punës së shkëlqyeshme të të gjithë të përfshirëve në këtë projekt arritëm që në kohë rekord prej 6 muajsh ta marrim licencën nga FIFA për përdorim të VAR-it në edicionin e ri të garave. Kjo pa dyshim se është një e arritur e madhe e institucionit që e drejtoj dhe një mundësi për evoluim të mëtutjeshëm të futbollit tonë. Ky projekt do të jetë një ndihmesë e madhe për gjyqtarët, pasi do të shmangen gabimet gjatë kryerjes së detyrës së tyre në fushën e gjelbër”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Tutje, Ademi tha se progresi i deritanishëm është evident, por kjo nuk duhet të mjaftojë.
“Paraqitja e klubeve tona në garat e sivjetme evropiane dëshmoi se jemi në rrugën e duhur. Progresi është evident, por kjo nuk duhet të na kënaq. Duhet të vazhdojmë të rritemi qoftë në aspektin organizativ e infrastrukturor, e qoftë në aspektin e cilësisë së lojës së futbollit. Talentin dhe mundësitë i kemi, derisa në vullnetin dhe dëshirën e gjithsecilit që është pjesë e klubeve nuk e kam as më të voglin dyshim. Prandaj, së bashku mundemi dhe duhet ta çojmë futbollin tonë në një nivel më lart, për t’i dhënë një të ardhme edhe më të mirë kësaj loje magjike për brezat e rinj. Gjatë kësaj vere edhe klubet kanë punuar intensivisht për t’u përgatitur sa më mirë për kampionatin e ri, por tani i mbetet fushës së gjelbër për të dëshmuar punën e secilit. Ne, si KE i FFK-së, kemi punuar në afrimin e sponsorëve të rinj, derisa kemi siguruar një kontratë joshëse për pakon e drejtave televizive të Superligës dhe Ligës së Parë, mjete të cilat në tërësi u takojnë klubeve. Gjithashtu, organet tona kanë punuar në përgatitjen e rregulloreve të reja dhe do të punojnë në vazhdimësi me zell e përkushtim për të qenë sa më korrekt në punën dhe vlerësimin e tyre”, thuhet tutje në postimin e Ademit./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?