Mbi 5 mijë banorëve në Deçan u zgjidhet problemi me energji elektrike

KEDS-i ka rinovuar një largpërçues që njihet si Largpërçuesi i Lumëbardhit në fshatin Irzniq të Deçanit.

Ky largpërçues, sipas KEDS-it, dekada me radhë kishte probleme të theksuara në furnizimin me energji elektrike, pasi afektohej nga faktorët atmosferikë, sidomos gjatë dimrit në zonat malore.

“Por, tashmë gjithçka është tejkaluar. Rreth 5 mijë banorë do të hyjnë në dimër me një brengë më pak, që po zgjaste për gati gjysmë shekulli”, thuhet në njoftimin.

Asllan Hasani, i pari i fshatit Ratish, falënderoi KEDS-in për këtë investim.

“Ky është projekt jetik për ne. Rrjeti i ri po na gëzon tej mase, pasi jemi ballafaquar më herët me shumë peripeci. Për 40 vjet me radhë, vazhdimisht më është dashur që të jem në gjendje gatishmërie për ndonjë të papritur në rrjetin elektrik. Tash erdhi koha që të pensionohem”, tha Hasani.

“Largpërçuesi i Lumëbardhit ishte më problematiku në Komunën e Deçanit. Duke e parë këtë gjendje të trashëguar, KEDS përmes ekipeve të veta të mirëmbajtjes kishte bërë projektin dhe realizimin e kishte filluar gjatë verës. Ky projekt është finalizuar këto ditë dhe vlerësohet që tejkalon problemet për një kohë të gjatë. KEDS është duke investuar në dhjetëra lokalitete vetëm sivjet, në mënyrë që rrjeti elektrik të jetë sa më modern dhe të përballojë kërkesën në rritje për energji elektrike dhe të afektohet sa më pak nga faktorët atmosferikë”, thuhet tutje në njoftim

Deri tash, gjatë tetë vjetëve të operimit KEDS ka realizuar mbi 1500 projekte, prej nga kanë përfituar qindra mijëra konsumatorë./21Media

Back to top button