Këshilli i Prindërve të Prishtinës kërkon që mësimi të nis më 27 shtator
Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, ka reaguar pas deklaratës së sotme të ministrit Arben Vitia, për mundësinë e shtyrjes së serishme të fillimit të procesit mësimore.
Sipas Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës ky vendim është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022. Ai Udhëzues parashikon katër skenarë të procesit mësimor e jo vetëm një, sikurse ka pretenduar z. Vitia.
“Për më tepër, lehtësia me të cilën po deklarohet shtyrja e mundshme e procesit mësimor po na tingëllon edhe e paarsyeshme edhe e papërgjegjshme – sidomos kur nga e hëna u pritka hapja e restoranteve edhe në hapësirat e brendshme (!). Njëkohësisht këto veprime (parandaluese) janë krejt ndryshe me çfarë është thënë e bërë për më shumë se një muaj nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit, se përgatitjet janë bërë për të filluar procesi mësimor, por edhe me të gjitha masat e mëhershme të zhvillimit të procesit mësimor në kohë pandemie”, thuhet në reagim.
Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, paralajmëron Vitinë se nëse shtyhet përsëri fillimi i vitit të ri shkollor do të shqyrtojnë angazhimi ne mëtejmë të prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, andaj u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse, që të jenë serioz e të përgjegjshëm për deklarimet e vendimet që marrin për procesin mësimor.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, sot ka thënë se rekomandim i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik është që shkollat të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe pas 26 shtatorit, kur përfundon afati i masave kufizuese./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?