Qeveria pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë në tërë territorin e Kosovës
Kryesuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sonte u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, në mbledhje u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë. Në veçanti u diskutua koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën nga zyra e kryeministrit./21Media