Abdixhiku i kërkoi Kurtit koordinim me aleatët për gjendjen në Veri
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të sotëm që ai dhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se ka shprehur shqetësimet për gjendjen e krijuar në Veri dhe ka dhënë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend.
Ai ka theksuar se Kryeministrit Kurti i ka kërkuar koordinim të plotë me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-të dhe BE-në.
“Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.”, ka shkruar kreu i LDK-së në facebook.
Edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi i ka kërkuar Kryeministrit Kurtit koordinim me partnerët ndërkombëtarë për menaxhimin e situatës në Veri.
Ndërsa, nga zyra e Kryeministrit është theksuar se në takimin e Kurtit me liderët opozitarë është biseduar për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe është theksuar përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend./21Media