Situata në Veri, reagon Gjermania
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde sot është deklaruar pas zhvillimeve të fundit në Veri të vendit. Ai ka deklaruar se situata në Veri duhet të deeskalohet si dhe iu ka bërë thirrje palëve të diskutojnë njëra me tjetrën.
“Mënyra më e mirë përpara: Takohuni në Bruksel për të gjetur një rrugëdalje sa më shpejt të jetë e mundur.”, ka shkruar Rohde në Twitter.
The situation in the North needs deescalation. I urge both sides to talk to each other instead about each other. Best way forward: Meet in Brussels to find a way out as soon as possible
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) September 26, 2021
Avionë luftarakë të ushtrisë serbe janë parë këtë të shtunë duke fluturuar në afërsi të pikë kalimit kufitar në Jarinjë, derisa edhe sot është raportuar se kanë fluturuar aeroplanë të Serbisë në afërsi të kësaj pike kufitare.
Dje rreth orës 01:00 pas mesnate është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës të hënën (20 shtator) e ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës./21Media