Rama fton qytetarët të votojnë për të ardhmen e Prishtinës
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ftoi sot qytetarët të dalin të votojnë për të ardhmen e kryeqytetit.
Pasi votoi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në Qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik, Rama tha se qytetarët gjatë këtyre 30 ditëve kanë pasur mundësi t’i dëgjojnë premtimet elektorale dhe tash ata kanë mundësinë për të zgjedhur.
“Ka qenë një kampanjë fenomenale, fer, ku kemi pasur të gjithë me pa dhe dëgjuar. Tash ndihem edhe më i lumtur demokratik të Kosovës, ku kemi të drejtën të gjithë të bëjmë votën tonë. Të marrim përgjegjësinë dhe të ardhmen e kryeqytetit. Unë ndihem i lumtur dhe i ftoj të gjithë të votojnë dhe ta zgjedhin të ardhmen e kryeqytetit tonë të dashur”, tha Rama.
Ndryshe, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt 2021. Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues, të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.