Lansohet projekti i IFC-së për financimin dhe sigurimin bujqësor në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, sot mori pjesë në lansimin e Projektit për Financimin dhe Sigurimin Bujqësor në Kosovë të IFC-së dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës, ku u prezantuan synimet dhe qëllimet e këtij projekti.
Siç u bë e ditur në komunikatë, ministri Peci foli për të arriturat e deritanishme që prekin çështjen e sigurimeve bujqësore dhe theksoi risinë e mbulesës së primës së sigurimit me vlerë prej 75% në Programin e Pagesave Direkte – Subvencione 2021, për gjashtë kultura bujqësore.
”Për ta zhvilluar bujqësinë është i pashmangshëm edhe krijimi i kushteve për qasje të lehtë në financa të fermerëve dhe prodhuesve vendorë me qëllim të rritjes së prodhimit, uljes së rreziqeve që lidhen me kushtet klimatike dhe rritjes së cilësisë”, tha ministri.
Ai, tutje foli edhe për rëndësinë e luftimit të informalitetit përmes mekanizmave të ndryshëm që kontrollojnë këtë të fundit dhe përmendi të gjithë hapat e ndërmarrë nga ai si Ministër në implemtim të programeve mbështetëse që Ministria ka të parapara për prodhuesit dhe fermerët vendorë.
Ndërsa, përfaqësuesit e sektorit bankar në Kosovë shprehën gatishmërinë e tyre për të ofruar ndihmën e nevojshme për sektorin e bujqësisë.
Ndryshe, Projekti i IFC-së në Kosovë për financim dhe sigurime bujqësore, financohet nga Programi Global për Bujqësi dhe Siguri të Ushqimit, dhe ka për synim të rrisë qasjen në financa në sektorin bujqësor në Kosovë./21Media

Back to top button