E gjetën të lidhur me litarë, deklaroi rrejshëm se i janë vjedhur 3 mijë euro 

 
Policia e Kosovës ka arrestuar dje një person i cili dyshohet se ka deklaruar rrejshëm se tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë vjedhur 3 mijë euro. Ai ka deklaruar se derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij në drejtim të Deçanit ishte ndaluar.
Personi i dyshuar ishte gjetur nga Policia i lidhur me litarë pranë një automjeti. I njëjti ishte dërguar në QKMF në Deçan për trajtim mjekësor.
“Me datë 10.11.2021 rreth orës 08:47, Stacioni Policor në Deçan, ka pranuar informatë se në rrugën Deçan –Gjakovë, një person është i lidhur me litarë pranë një automjeti. Policia menjëherë ka dalë ne vendin e ngjarjes, aty kanë takuar viktimën, i njëjti është dërguar ne QKMF-Deçan për trajtim mjekësor, viktima ka deklaruar se deri sa ishte duke lëvizur me veturën e tij në drejtim të Deçanit, është ndaluar nga tre (3) persona të maskuar dhe të armatosur të cilët sipas viktimës i kishin grabitur para të gatshme në vlerë rreth tremijë (3000) euro. Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe lidhur me rast është informuar prokurori i shtetit për të koordinuar veprimet hetimore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Tutje bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të hetimeve nga hetuesit, është vërtetuar- zbuluar se viktima tani i dyshuar ka paraqitur rrejshëm veprën penale të cilësuar si “Grabitje”.
I njëjti, nga personi viktimë për veprën “Grabitje”, tani është i dyshuar  për veprën penale “Deklarim i rremë”, dhe me vendim të prokurorit shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë./21Media

Back to top button