Gastronomët ‘kërcënojnë’ me votë Qeverinë
Shoqata e gastronomëve të Kosovës sot ka kërkuar nga Qeveria që t’i lehtësojë masat për këtë sektor, përndryshe ka ‘kërcënuar’ atë me votë në balotazhin e së dielës.
“Presim vendimin tuaj nesër, dhe ju tregojmë vendimin tonë e 14 nëntor!”, është shkruar në reagimin e Shoqatës së Gastronomëve.
Gastronomët kanë kritikuar Qeverinë lidhur me fushatën politike.
“Qeveria fatkeqësisht është shumë e zënë me fushatat politike, gjersa nuk kemi asnjë strategji për ti ndihmuar bizneset të cilat po luftojnë përditë për ti mbajtur në punë më shumë se 30 mijë punëtorë, e aq më pak për ata të cilët vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur e që punuan shkurtimisht gjatë verës. Pra, rastet për toke, Qeveria për toke, gastronomia për toke, strategjia për toke!”, është shkruar në reagim.
Gastronomët kanë kërkuar nga Qeveria të hapen bizneset (klubet e natës dhe sallat e dasmave) ose të miratohen masa financiare për t’i ndihmuar bizneset që nuk janë duke punuar.