Rruga Mavrovë-Dibër bllokohet pa paralajmërim në ditë zgjedhjesh?!
Rruga Mavrovë-Dibër është bllokuar. Kjo po ndodh sot në ditë zgjedhjesh lokale në Dibër.
Kryerësit e punimeve në rrugë kanë thënë se bllokimi do të zgjasë deri në orën 16:00, por në njoftimin e mesditës të Lidhjes Automote të Maqedonisë (LAMM) për gjendjen e rrugëve nuk është shkruar se kjo rrugë është e bllokuar, por vetëm kanë bërë apel që në aksin Mavrovë-Dibër të vozitet me kujdes, duke respektuar shenjat rrugore.
Në autokolonën, në të cilën ndodhej edhe ekipi i TV21 kishte shumë votues dibranë që jetojnë në qytete të tjera, por ende votojnë në Dibër.
Arsyetimi për të mos kaluar, siç kanë thënë, është se në rrugë ka makineri 4 metra të gjerë, që e pamundëson kalimin e makinave. Pas disa debatesh, policia ka lejuar të kalojnë qytetarët që në letërnjoftime ende si vendbanim e kishin Dibrën. Edhe ekipi i TV21 po ashtu është lejuar të kalojë, megjithatë gjatë rrugës nuk është hasur asnjë makineri që të ketë zënë gjithë rrugën sa për ta bërë të pakalueshme, shkruan TV21./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?