Kaloni te përmbajtja kryesore

Çitaku ftoi qytetarët që të dalin të votojnë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sot përmes një konference për media ftoi qytetarët e komunave të Kosovës, të cilat janë në balotazh, të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Çitaku tha se sot është ditë vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të këtyre komunave, qytetarët e të cilave e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë.

“Më 17 tetor, disa prej komunave të vendit përmbyllën garën me sukses në raundin e parë dhe tashmë kanë kryetarët e zgjedhur me votë demokratike për katër vitet e ardhshme. Sot, qytetarët e komunave në balotazh e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin në mënyrë sa më masive ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë që t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme.”, tha ajo.

Ajo theksoi se të rinjtë dhe të rejat e Kosovës do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës duke vendosur për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre.

“Këto zgjedhje janë ekskluzivisht për qytetarët, për të pasur institucione lokale funksionale, të cilat duhet të punojnë për t’i përmbushur kërkesat dhe nevojat e tyre. Nga mijëra aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të angazhuar në procesin zgjedhor të raundit të dytë në tërë territorin e vendit, vlerësohet se mbarëvajtja e deritashme e procesit zgjedhor po shkon mirë. Dhe shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi dominant në këto zgjedhje.”, përfundoi ajo.

Ndryshe, nga 38 komuna të Kosovës, sot në balotazh po votohet për të zgjedhur kryetarin në 21 komuna. Komunat ku po mbahen zgjedhjet për balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, me 18 tetor me me shumë se 50% të votave është zgjedhur krytari në: Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj në Pejë dhe Lipjan, Deçan dhe Suharekë, në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button