“Artpolis” i bashkohet fushatës kundër dhunës gjinore
Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis”, ka bërë të ditur se do të realizojë disa aktivitete në kuadër të fushatës “16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”, që këtë vit mbahet nën moton “Ngjyrose Botën Portokalli: Jepi fund dhunës ndaj grave tani!”.
“E drejta për të jetuar e pacenueshme dhe me dinjitet i përket secilës grua e vajzë në Kosovë dhe nëbotë, prandaj për Artpolis fuqizimi i tyre, duke përdorur artin si mjet, dhe luftimin e dhunës dhe vrasjes së grave mbetet mision i përhershëm”, thuhet në njoftimin e Artpolis.
Aktivitetet që “Artpolis” planifikon të organizojë gjatë fushatës 16 ditor kundër dhunës, janë:
Shfaqja dans teatër “Totem dhe Tabu”, 4 dhjetor 2021, Teatri Kombëtar, performanca artistike dhe marshi “Boll Ma – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, 5 dhjetor 2021, ora 12:00 – 13:00, platoja e Sheshit “Zahir Pajaziti” dhe Sheshi “Nëna Terezë”, me ndalesë para Qeverisë së Republikës së Kosovës, shfaqja forum teatër “… Edhe mua” – 9 dhjetor 2021, ora 12:00 në Qendrën e Kulturës në Shtime, Panel diskutimi “Rregullorja kundër ngacmimit seksual në UP u aprovua. Si të vazhdojmë në 2022” – 10 dhjetor 2021, ora 11:00 – 14:00, Biblioteka Kombëtare.
“16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore” përkrahet nga: Ambasada Austriake në Kosovë, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, UNFPA, CDF, cfd./21Media